Wednesday , February 24 2021

Hapet bulevardi “Hristian Todorovski-Karposh” në Shkup


U lëshua në përdorim bulevardi “Hristian Todorovski-Karposh”. Për ndërtimin e këtij aksi, në gjatësi prej dy kilometrave që shtrihet prej udhëkryqit në bulevardin “Bosnja e Hercegovina” deri tek rreth rrotullimi i Shkupit, Qyteti i Shkupit shpenzoi 285 milionë denarë apo rreth 4,6 milionë euro me TVSH të përfshirë.

“Qyteti i Shkupit prej sot është më i pasur për edhe një rrugë, bulevardin ‘Hristian Todorovski-Karposh’. Pjesa veriore e qytetit për herë të parë tërësisht është e lidhur me zgjidhje bulevardi nga rreth rrotullimi deri tek qendra e qytetit. Me inagurimin e këtij bulevardi, nga qendra deri te pjesa veriore e qytetit, deri tek rreth rrotullimi i Shkupit do të arrihet për rreth 15 minuta, ndërsa me biçikletë për gjysmë ore, me çka së paku është përgjysmuar koha e nevojshme për kalim të këtij relacioni”, tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Bulevardi i ri është i gjerë 40 metra, me gjashtë korsi me nga tre metra e gjysmë. Nga të dyja anët ka rrugica për biçikleta të gjera dy metra e gjysmë, rrugica për këmbësorë nga të dyja anët me sipërfaqe të përzier, hapësirë për gjelbërim të mesëm dhe brez të gjelbër nga të dy anët e bulevardit. Është vendosur kanalizim i ri ujësjellësi, atmosferik dhe fekal dhe ndriçim i ri rrugor prej 140 shtyllave.

“Ndërtojmë me plan, potencoi Shilegov, i cili pret së shpejti nëpër këtë bulevard të kalojnë disa linja autobusi dhe shtoi se do të shkarkohet tollovia në komunikacion. Ndërtimi i këtij bulevardi, siç tha, do të mundësojë dalje më të shpejtë në rreth rrotullim për më shumë se 100 mijë banorë të cilët jetojnë në pjesën veriore në Shkup, Çair, Shkup-Veri, Tophanë, Hekuranë, Butel.

Ai përkujtoi se deri më tani opsioni i vetëm rrugor për lidhje të qendrës së Shkupit me disa dhjetëra mijë banorë të Butelit, Radishanit, Lubancit, Lubetenit, Çuçer-Sandevës dhe vendbanimeve të tjera ishte rruga e “Butelit”, në të cilën, siç tha, krijohej tollovi e madhe komunikacioni. Potencoi se për këta qytetarë bulevardi “Hristian Todorovski-Karposh” është alternativa e re rrugore.

“Me ndërtimin e bulevardit ‘Hristian Todorovski-Karposh’ përfunduam një nga lidhjet më të gjata në relacionin veri-jug, që fillon në rrugën ‘Bihaqi’ në Cërniçe dhe vazhdon pothuajse në linjë të drejtë nëpër bulevardet ‘Koço Racin’, ‘Kërste Misirkov’, ‘Cvetan Dimov’, e përmes ‘Hristian Todorovski-Karposh’ deri tek rreth rrotullimi i Shkupit”, tha Shilegov.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, Shilegov tha se për dhjetë ditë duhet të fillojë rikonstruimi i plotë i rrugës “Butel”./MIA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *