Sunday , February 28 2021

Frika nga koronavirusi sjell modën e re e turizmit në Shqipëri

Në kushtet e një izolimi total nga situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit, turizmi pritet të jetë sektori më i prekur në Shqipëri. Rreziku nga Covid-19 nuk është larguar ende dhe se të pakta janë shanset që shqiptarët të udhëtojnë jashtë Shqipërisë për të kaluar pushimet e tyre në resortet e shtrenjta, apo në shtete si Turqia, Greqia, Italia apo dhe Malin e Zi.

Gazeta “Shqip” ka mësuar se në këtë periudhë po vihet re një formë e re e prenotimeve, ku dhjetëra familje po synojnë vilat e veçuara në zonat e ndryshme të bregdetit shqiptar. Janë pikërisht fshatrat turistike,  komplekse në zonat e Qerretit në Kavajë dhe në zonat e tjera bregdetare, ku janë ndërtuar vilat luksoze e njerëzve të kamur në Shqipëri më të pëlqyera dhe që po lëshohen me qira për të kaluar sezonin e verës.

Shumë shqiptarë po rezervojnë vilat për një kohë të gjatë, jo me një afat 15 ditor, siç e kanë në traditë shqiptarët, por me një apo dy muaj. Çmimi ditor për shtëpitë një apo dykatëshe varion nga 50 deri në 100 euro dita.

“Nuk ka më vila të lira, janë bllokuar të gjitha në zonën e Qerretit”, pohojnë administratorët. Në një kohë që kjo zonë në vitet e mëparshme ka qenë tejet e shkretë dhe ka vuajtur, duke pasur kryesisht turistë ditorë, apo siç cilësohen rëndom me “bukë me vete”.

Agjenci të ndryshme kanë pohuar se këtë periudhë tregu imobilar po lëviz dhe në zonat e plazheve, ku shumë qytetarë po tentojnë të blejnë apartamente për t’i pasur jo vetëm për ta kaluar ditët e nxehta të verës, por edhe si mundësi jetese.

Për shkak të situatës ende të paqartë të krijuar nga koronavirusi, nuk ka ende një qartësi për sezonin turistike. Dhjetëra familje numërohen që kanë anuluar pushimet e tyre apo rezervimet në jug të Shqipërisë. Ministria e Turizmit shprehet optimiste se në vendin tonë mund të vijnë sërish turistë të huaj, por se sivjet duket se më tepër do t’i kushtohet dhe të shpresojë të vjelë të ardhura nga “turizmi patriotik”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *