Sunday , February 28 2021

Letra e Komisionit të Venecias: Nuk mund të merremi me kërkesën tuaj, sepse do ta dëmtonim Gjykatën Kushtetuese

Komisioni i Venecias ka refuzuar të trajtojë kërkesën e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për një opinion rreth kompetencave të presidentit të Kosovës, përkitazi me shpërbërjen e Kuvendit dhe me formimin e Qeverisë. 

Gazeta Express ka siguruar letrën që kryetari i Komisionit të Venecias, Gianni Buquiccio, ia ka kthyer Kurtit, të martën.

Në këtë letër, Komisioni i ka thënë Kurtit se nuk mund të merret me kërkesën e tij, sepse do ta dëmtonte Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Gazeta Express ju sjell ekskluzivisht, dhe të përkthyer në shqip, letrën e Komisionit.

LETRA:

I nderuari Kryeministër,

Ju faleminderit shumë për letrën tuaj të 1 majit 2020, nëpërmjet së cilës kërkoni një Opinion nga Komisioni i Venecias rreth kompetencave të Presidentit të Kosovës, përkitazi me shpërbërjen e Kuvendit dhe me formimin e Qeverisë.

Unë jam njoftuar se kjo çështje është paraqitur në të njëjtën kohë nga një grup deputetësh të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese po merret në mënyrë aktive me këtë kërkesë, dhe tashmë ka marrë një masë të përkohshme.

Rrjedhimisht, unë e kam konsultuar Zyrën e Komisionit të Venecias, për ta pyetur nëse Komisioni duhet të merret me kërkesën tuaj, nën rrethana të tilla. Kishte pajtim të plotë brenda Zyrës se organizmi i duhur për t’u marrë me këtë çështje, e cila në thelb përbën një çështje të interpretimit të Kushtetutës së Kosovës dhe jo të zbatimit të standardeve ndërkombëtare, është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Nëse Komisioni do të ndërhynte, kjo do të rrezikonte të dëmtonte autoritetin e Gjykatës. Prandaj, Komisioni nuk është në pozitë për të shqyrtuar kërkesën suaj.

Unë kam besim se Gjykata Kushtetuese do të ofrojë në zgjidhje të kënaqshme për këtë çështje. Komisioni i Venecias mbetet në dispozicion të autoriteteve të Kosovës për të bashkëpunuar rreth çfarëdo çështjeje tjetër brenda kompetencave të tij.

Sinqerisht,

Gianni Buquiccio

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *