Wednesday , March 3 2021

Dita e Dëshmorëve bën bashkë Metën me Ramën, Basha bën homazhe ndaras

Presidenti shqiptar Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi përkujtuan sot 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve në një ceremoni krejt ndryshe nga ajo e viteve të tjera për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Krerët më të lartë të Shtetit Shqiptar vendosën kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” për të nderuar të rënët për Atdheun duke ruajtur distancën nga njëri-tjetri.

Në ceremoni mungoi banda frymore e ushtrisë, e zakonshme në ngjarje të tilla dhe qytetarët.

Presidenti Ilir Meta, pas homazheve deklaroi se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për popullin shqiptar për të kujtuar dhe nderuar të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe demokracinë e vendit. Kreu i Shtetit deklaroi se edhe në ditët e sotme duhet të jemi vigjilentë që këto liri të mos cënohen.

“Ky është një 5 Maj i veçantë për shkak të pandemisë dhe kufizimeve. Kjo është dita e dëshmorëve, martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë dhe që na ftojnë me sakrificën e tyre të mos bëhemi mëndjelehtë, pasi nëse nuk jemi të përqëndruar dhe vigjilentë ato janë të cënueshme dhe mund të cënojnë më pas liritë e të drejtat e të gjithëve. Apel për një vëmendje më të madhe edukimit të fëmijëve dhe të rinjve me luftën e LANÇ dhe të vërtetat e saj”, u shpreh presidenti Meta.

Nga ana tjetër, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i zhvilloi më herët homazhet në monumentin “Nënë Shqipëri”, i veçuar nga pjesa tjetër e politikës dhe gjithashtu nderoi figurat e Azem Hajdarit, 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste, kapiten Feti Voglit dhe të rënët në Luftën e Kosovës./ A2 CNN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *