Friday , February 26 2021

Epidemia po dobësohet, po bëhet plan për lehtësimin e masave

Numri i të sëmurëve nga Kovid-19 në vendin tonë po ulet, epidemia po dobësohet dhe autoritetet tashmë nga java e ardhshme paralajmërojnë lehtësimin e masave, kthimin në punë të administratës, kopshteve dhe të gjitha kompanive dhe subjekteve të cilat janë mbyllur.

Zgjedhjet, kurdo që të mbahen duhet të realizohen sipas protokollit të rreptë për mbrojtje të shëndetit të qytetarëve i përgatitur nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, ndërsa udhëtimet në muajt e verës do të koordinohen me vendet fqinje.

Në 24 orët e kaluara janë bërë 113 testime, ndërsa janë konfirmuar shtatë raste të reja, me çka numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me Kovid-19 në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 1.518, numri i pacientëve të shëruar është 992, i të vdekurve është 85, ndërsa për momentin numri i rasteve aktive është 441.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe,është e qartë, theksoi ministri, se numri i pacientëve të sëmurë po pakësohet, epidemia po dobësohet, kjo posaçërisht na gëzon dhe na jep të drejtën të punojmë në lehtësimin e masave.

“Masa për mbajtjen e maskave mbrojtëse, nëse respektohet, mundet të lejohet kthimi gradual dhe organizimi i njësive të punës, ndërmarrjeve dhe administratës në funksion. Duhet të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme për kopshtet. Këtë javë po përgatisim gjithçka në kuadër të aktiviteteve të Komisionit për sëmundje infektuese dhe me siguri që nga java e ardhshme këto masa do të implementohen gradualisht edhe atë pjesë-pjesë, siç do të përcaktojnë ekspertët”, deklaroi Filipçe në konferencën e djeshme për media për gjendjen me virusin korona në vendin tonë.

Ende zgjasin konsultimet dhe bisedimet për punën e kopshteve të fëmijëve, për çka ministri Filipçe paralajmëroi se do të kontaktohen edhe vetë kopshtet.

“Dëshirojmë të sjellim plan i cili me të vërtetë do të mund të zbatohet, veçanërisht kopshtet mund të jenë në funksion kur të gjithë do të kthehen në punë. Në ditët në vijim kur plani do të jetë i gatshëm do të japim më shumë informacione për atë kur dhe në çfarë mënyre kopshtet do të fillojnë të punojnë”, tha Filipçe.

Për strategjinë për pushimet vjetore dhe udhëtimet në kohën e pandemisë në muajt e verës, ai tha, se do të bisedohet pasi të koordinohen me vendet fqinje.

“Akoma ka shumë çështje të hapura. Siç më informoi kolegu grek, ata planifikojnë hapje të kufijve në qershor, Akoma asgjë në maj. Por mendoj se do të arrijmë shumë me këtë takim dhe koordinim të përbashkët për shkak se mund të sjellim masa të cilat do t’i respektojnë të gjithë qytetarët, nga të gjitha vendet përreth. Konsideroj se vetëm kjo mund të jetë një rrëfim i suksesshëm. Sepse mosrespektimi i masave, jo vetëm tek ne, por edhe në cilin do vend tjetër, është rrezikim i shëndetit publik, në shtëpi apo jashtë vendit”, theksoi Filipçe.

Për sot është caktuar takim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për rajonin tonë, ndërsa edhe në samit të BE-së të mërkurën, gjithashtu, në agjendë është diskutimi për të ashtuquajturën strategji dalëse nga KOVID-19.

Ministri Filipçe theksoi edhe se sipas të dhënave statistikore për të gjitha viruset tjera respirator të cilat ishin paraqitur, ekspertët edhe për këtë virus respirator presin se në muajt e verës do të transferohet në Hemisferën jugore. Përsëri ekziston rrezik, për të cilin nuk mund të parashihet se me çfarë intensitetit, tha ai, që të kthehet në Hemisferën veriore.

Në 24 orët janë regjistruar 47 pacientë të shëruar edhe atë në: Shkup-9, Kumanovë-9, Prilep-8, Tetovë-13, Ohër-1, Gostivar-5, Koçan-1 dhe Kriva Pallankë-1.

Në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile gjithsej janë hospitalizuar 41 pacientë, në SPQ “8 Shtatori” – 24 pacientë, në spitalin në Manastir mjekohen katër pacientë, në spitalin në Shtip, gjithashtu – katër, derisa në repartet infektuese në spitalet në Prilep, Veles, Kumanovë, Gostivar dhe Tetovë janë hospitalizuar 46 pacientë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *