Sunday , February 28 2021

Abrashi: Letra kërcënuese e Kurtit ndaj Kushtetueses është sinjal për rrëshqitje në diktaturë

Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë kryeministri në detyrë Albin Kurti, është duke e drejtuar vendin drejt diktaturës. Sipas tij, duke mos respektuar asnjë procedurë, Kurti mori vendim për kufizimin e lëvizjes për shkak të pandemisë, e cila sipas tij, me pas u konfirmua si shkelje kushtetuese.

Sipas Abrashit, ai krye në vete vendosi edhe në herën e dytë.

Ai ka shtuar se Kurti e uli nivelin e menaxhimit shtetëror nga qeveria në ministri në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese.

“Këto masa antikushtetuese janë vendosur nga qeveria pa votat e LDK-së. Kërkojmë urgjentisht të shfuqizohen vendimet për karantinim. Urgjentisht, Prishtina të hiqet nga karantina”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se “letra kërcënuese e Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese është sinjal për rrëshqitje në diktaturë”.

“Duke u zhytur edhe më shumë në tendencat për të kontrolluar gjithçka, i është drejtuar me një letër kërcënuese Gjykatës Kushtetuese duke thënë se nëse merr për bazë ankesa tjera tregohet e anshme. Pra vendimet e çdo institucioni duhet të jenë në sinkron me të përndryshe ai tregohet i anshëm”, ka thënë ai.

Abrashi ka thënë se në këto ditë të qeverisjes, Kurti shfaqi dromca dashurie për Serbinë.

Ai tutje ka përmendur edhe rastin e Behgjet Pacollit, derisa ka deklaruar se qeveria në detyrë e ka kërcënuar vazhdimisht me arrestimin e tij.

Abrashi ka thënë se “Qeveria e shkarkuar duke u munduar të ndajë pushtetin nga i cili është shkarkuar i referohet edhe Kushtetutës së Serbisë e cila parasheh Kosovën si pjesë të saj. Të gjitha këto veprime vetëm për pak ditë qeverisje kanë shpërfaqur paaftësinë e tij për të qeverisur”.

Duke folur për mbledhjen e Kryesisë të LDK-së të mbajtur dje, ai ka thënë se nuk ka pasur tensione në këtë mbledhje, duke shtuar se ende nuk është vendosur për emrat e kabinetit qeveritar të cilin synojnë ta bëjnë.

“Dje kemi pasur mbledhje të Kryesisë është diskutuar për formatin e Qeverisë por nuk kemi hy në përbërjen e kabinetit të Qeverisë Hoti. Nuk kemi ende emrat. Sa i përket marrëveshjes me Listën Serbe, është pak a shumë me të njëjtat kompetenca që garantohen me Kushtetutën e Kosovës, të njëjtat që i ka pasur edhe gjatë Qeverisë Kurti. Ata do të marrin aq fuqi politike sa kanë pasur edhe në Qeverinë Kurti. Nuk ka pasur asnjë përplasje në mbledhjen e LDK-së”, ka thënë ai.

Abrashi tutje ka shtuar se nuk shohin indikacione për të shkuar në zgjedhje.

“Ne nuk shohim se ka indikacione për të shkuar në zgjedhje, ne kemi marrë dekretin për qeveri. Është e drejtë e të tjerëve të ankohen e të kërkojnë masë. Ne e kemi përshëndetë këtë masë dhe e respektojmë vendimin. I ftojmë të gjitha subjektet t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *