LSDM vendos për ministrat, nesër votohet qeveria e re

Ministri i punëve të brendshme, Mitko Çavkov dha dorëheqje. Në vend të tij vjen profesori universitar dhe njëherit edhe aktivist i Lëvizjes Qytetare për Mbrojtjen e Maqedonisë, Oliver Andonov. Ky i fundit këtë funksion do ta ushtrojë vetëm një ditë, sepse nesër duhet të formohet dhe votohet Qeveria kalimtare, e cila është rezultat i marrëveshjes politike mes katër partive politike. Sipas marrëveshjes politike, LSDM-ja do ta udhëheq MPB-në, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe do të ketë zëvendësministra shtesë për financa, bujqësi dhe shoqëri informatike dhe administratë, transmeton Fakte.

Për sonte është paralajmëruar mbledhja e organeve partiake të LSDM, ku do të nominohen emirat për ministra dhe zëvendësministra.  Nga kjo parti jozyrtarisht mësohet se ish-ministrat e qeverisë së parë kalimtare Spasovski dhe Remneski do të mbajnë pozitat e njëjta edhe në Qeverinë e dytë kalimtare. Po ashtu edhe Aleksandar Kiracovski, Lupço Nikollovski dhe Kire Naumov do të jenë sërish pjesë e Qeverisë kalimtare, të propozuar nga LSDM.

“Mbrëmë është arritur marrëveshja, sot organet e LSDM-së do të vendosin rreth zgjedhjeve të kuadrove”, tha Oliver Spasovski.

Një ditë pas takimit të liderëve ku u arrit marrëveshja për datën e zgjedhjeve, lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski nuk deshi të komentojë asgjë në lidhje me përbërjen e Qeverisë kalimtare.

“Ju lutem, nëse mundet, sepse sot kam edhe ngjarje tjera..”, tha Nikolla Gruevski.

Por, megjithatë, Gruevski mbrëmë gjatë largimit nga takimi i liderëve deklaroi se VMRO-DPMNE-ja i pranon të gjitha kushtet dhe propozimet e LSDM-së, me qëllim që siç thotë, opozita të mos ketë alibi për ikje nga zgjedhjet. Ndryshe, sipas marrëveshjes zgjedhjet janë paraparë të mbahet më 11 dhjetor./TV21

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *