Sunday , January 24 2021

Meta dhe Rama mesazhe urimi për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të vendit kanë përcjellë mesazhe urimi me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Meta, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar se Kosova ka hyrë në dekadën e dytë të saj si shtet i pavarur dhe sovran, sipas tij, me një demokraci edhe më të gjallë e dinamike.

“Kjo etapë e re e konsolidimit të shtetit të Kosovës jam i sigurt se do të shoqërohet me një hov të ri edhe në marrëdhëniet vëllazërore dhe bashkëpunimin ndërmjet nesh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe europiane. Uroj që përpara sfidave të tjera aspak të lehta, në Kosovë të mbizotërojë uniteti përreth objektivit strategjik për integrimin europian dhe euro-atlantik si dhe njohjen e mëtejshme në arenën ndërkombëtare”, thuhet në mesazhin e Metës publikuar nga Presidenca e Shqipërisë.

Meta shkruan më tej në mesazhin e tij se “Njëkohësisht, kam besim se përfaqësimi i njëzëshëm i Kosovës dhe koordinimi me partnerët strategjikë do të mundësojnë edhe finalizimin e suksesshëm të dialogut të ndërmjetësuar me Serbinë”, sipas tij për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve përmes një marrëveshjeje që njeh pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e pakthyeshëm territorial të Republikës së Kosovës.

Ndërsa kryeministri Rama, në urimin e tij të publikuar në rrjetet sociale shkruan: “Urime ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë”.

Edhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka përcjellë urimet e tij për 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë, një mesazh urimi në rrjetet sociale ka publikuar edhe kryetari i Partisë Demokrarike të Shqipërisë(PD), Lulzim Basha. Kreu i PD-së thekson se “Në këtë ditë kaq të bukur dhe të rëndësishme për kombin, dua të shpreh angazhimin tim se çdo ditë të jetës dhe punës time, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh.”

Me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, institucione të ndryshme në Shqipëri organizojnë aktivitete festive, ndërsa para godinës së Bashkisë së Tiranës është vendosur një flamur i madh i Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se sot Kosova shënon 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ku janë planifikuar të organizohen aktivitete festive dhe ceremoni zyrtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *