Wednesday , January 20 2021

Rama në konferencën me Kurtin: Nëse nuk heqim kufirin mes dy shteteve, nuk e kemi kryer detyrën tonë

Pas takimit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, mbajtën një konferencë për shtyp. Në fjalën e tij kreu i qeverisë shqiptare, tha se bashkëpunimi me Kosovën, është prioritet mbi prioritet. Ndër të tjerash, Rama shtoi se nëse mes dy vendeve ekziston ende kufiri mes njerëzve dhe mallrave, atëherë askush prej kryeministrave nuk e ka bërë punën që i takon.


“Për mua nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve në radhë të parë të parë, dhe të mallrave e shërbimeve, nuk e kemi kryer detyrën tonë ndaj të ardhmes dhe njerëzve tanë. Është themelore që të jemi të angazhuar dhe të qartë në çdo hap për të hequr kufirin mes të dy shteteve. Dhe për ta bërë hapësirën e përveçme të secilit shtet, një hapësirë të përbashkët bashkëpunimi e zhvillimi. Ne jemi 100% në mbështetje të Kosovës në të gjithë betejën për të çuar para procesin e njohjes së plotë dhe të afirmimit të plotë si një shtet sovran dhe demokrat, në raport me të gjitha shtetet dhe institucionet”, tha Rama.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, u shpreh se në shekullin e 21, Kosova e Shqipëria duhet të ecin bashkë, shpejt dhe fuqishëm, në aspektin ekonomik arsimit, sigurisë e politikës së jashtme.


“Unë dua të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona. Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrit, dhe nuk janë çështje që presin në asnjë fushë. U dakorduam që të formojmë një komision ndërshtetërore, i përbërë nga ministra e deputetë, që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani, të zbatohen dhe të shtohen në marrëveshje të reja. Duam ta shtojmë bashkëpunimin duke e zgjeruar. Dua ta falënderoj popullin shqiptar për ndihmën e pakursyer e pa rezervë për Kosovën. Nuk do ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, po ashtu as në paqe pa Shqipërinë. Ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë, dhe duam që në shekullin e 21 të ecim bashkë, shpejt, fuqishëm. Në veçanti duam të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik të prodhimtarisë, të arsimit, të sigurisë, e të politikës së jashtme”, tha Kurti./L.F-dritare.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *