Tuesday , January 26 2021

“S’e kam ndërruar tabelën, ashtu e gjeta”, Mizrahi i hedh poshtë akuzat e Dimitrovit

Tabelën nuk e kam ndërruar unë. Pasi erdha unë në këtë pozitë në Ministrinë për punë dhe politikë sociale, tabela me emrin e vjetër të Republikës së Maqedonisë nuk është ndërruar. Këtë e deklaroi ministrja për punë dhe politikë sociale Rashella Mizrahi pasi ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov kërkoi që ajo të shkarkohet për shkak të mosrespektimit të Kushtetutës duke e kthyer tabelën me emrin e vjetër të Republikës së Maqedonisë. 

“Unë nuk e injoroj realitetin, por nuk do të lejoj që të krijohet një realitet i ri. E drejtë demokratike por edhe obligim moral i çdo qytetari është se kur të shohë padrejtësi të reagojë. Tabela ishte kështu dhe nuk ka tabelë të vjetër apo të re. Ka vetëm një tabelë në Ministrinë për punë dhe politikë sociale. Ndërkohë duhet t’i falënderojmë zv/kryeministres për çështje ekonomike se nuk e ka ndërruar tabelën dhe brenda në vetvete ajo njeh se kjo është Republika e Maqedonisë ndërsa ky është populli maqedonas”, deklaroi Rashella Mizrahi. 

Ministri Dimitrov e akuzoi Mizrahi-n se e ka hequr tabelën me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kërkoi nga kryeministri teknik, Oliver Spasovski ta shkarkojë nëse vazhdon me shkeljen e Kushtetutës duke theksuar se në veprimin e saj ka edhe elemente me përgjegjësi penale. Ai tha se për këtë gjë i ka njoftuar partnerët ndërkombëtarë të vendit. 

“Shkelja flagrante e Kushtetutës nënkupton përgjegjësi politike dhe juridike. Nëse veprimin e saj nuk e vendos në linjën dhe kornizat e Kushtetutës, i sugjeroj kryeministrit Oliver Spasovskit, të propozojë shkarkim të saj deri te Kuvendi. Sugjeroj se në sjelljen e saj ka edhe elemente të përgjegjësisë penale sipas nenit 353 dhe nenit 390 të Kodit penal, por kjo është punë e organeve të tjera të shtetit”, deklaroi Dimitrov.

Dimitrov tha se ka marrë notë verbale nga Greqia në të cilën thuhet se kjo paraqet shkelje flagrante e Marrëveshjes së Prespës. 

Marrëveshja e Prespës e cila është shtylla e marrëdhënieve mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe e cila i mundëson Maqedonisë së Veriut hyrje në NATO dhe e mbështet kandidaturën e saj për hapjen e negociatave për aderim në BE me mbështetje të plotë dhe aktive nga Greqia, duhet të respektohet vazhdimisht”, shkruhet në notën verbale nga Greqia.

Edhe krahas reagimit të këtillë në Greqi nuk janë ndërruar tabelat në të cilat shkruhet Skopia. Ministri Dimitrov tha se zbatimi i marrëveshjes mund të shkojë më shpejt dhe se Ministria reagon në pjesën e zbatimit dhe respektimit të obligimeve të palës tjetër. Megjithatë, Dimitrov tha se në këtë periudhë kemi shans historik për t’i filluar negociatat aderuese dhe prandaj duhet të respektohet Kushtetuta e vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *