Friday , December 13 2019

Nuk arrihet marrëveshja mes LVV – LDK për bashkëqeverisje, ja çka u bisedua

Pa arritje të marrëveshjes për koalicion qeverisës ka përfunduar takimi i sotëm mes kryetarit të VV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa.

Përkundër negociatave afër dy orësh me një pauzë të shkurtër, dy liderët nuk arritën të nënshkruajnë marrëveshjen ashtu siç është deklaruar, pasi aty u shpërfaqën dallime të tjera në të cilat nuk pati pajtueshmëri. Dy krerët e partive thanë se ka avancime në diskutime, por marrëveshje ende jo, percjell Fakte.

Lideri i VV-së, Albin Kurti u shpreh se negociatat do të vazhdojnë, pasi ende ka dallime në disa çështje, por nuk i tregoi se cilat janë ato.

Kurti: Në negociatat tona ka avancim, por marrëveshje nuk kemi ende

“Në negociatat tona avancim ka, por marrëveshje nuk kemi ende për shkak se qartazi kemi gjëra për të cilat nuk jemi marrë vesh. Mirëpo, avancim në diskutimet që kemi bërë ka. E atëherë kur do të kemi marrëveshjen e plotë do të mund të shpalosim gjerë e gjatë. Përfundon takimi i sotëm dhe unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarin e LDK-së që ta përcaktojmë takimin e radhës sa i përket ditës dhe orës, që të vazhdojmë tutje drejt marrëveshjes”, tha Kurti.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa theksoi nevojën që ende të punohet të përafrimin e marrëveshjes, pasi janë disa çështje të cilat ende nuk kanë përafrim.

Mustafa: Sot nuk ka marrëveshje për koalicion

“Ne patëm një bisedë mjaft përmbajtjesore, sepse pa biseda të tilla është vështirë që të arrihet një bashkëpunim i ardhshëm, i qëndrueshëm katërvjeçare. Natyrisht se ne kemi pasur pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës dhe çështjeve, të cilat janë harmonizuar deri më tani ndërmjet grupet tona punuese. Kemi dhe çështje të tjera, të cilat i kemi biseduar për të cilat do të punojmë që të arrijmë përafrim ose qëndrime të përbashkëta, të cilat pastaj mund t’i ndihmojnë bërjes së koalicionit. Sot nuk ka marrëveshje për koalicion, ka marrëveshje që të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë dhe hulumtojmë rrugë që të përafrohemi në qëllimet tona. Dallimet tona do t’ju tregojmë kur t’i përafrojmë, përderisa ne po bisedojmë ato mbesin çështje tona, të cilat ne duhet t’i përafrojmë bashkërisht”, deklaroi Mustafa.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit nga KQZ-ja, partia fituese Lëvizja Vetëvendosje ka intensifikuar takimet me partinë e dytë, LDK-në për të formuar qeverinë e ardhshme. Derisa nuk u bë e ditur se kur do të jetë takimi i radhës, por u tha se për këtë do të njoftohen mediat.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *