Sunday , November 17 2019

Rama: Mendoj dhe punoj për interesat e Shqipërisë e të Kosovës, të heqim kufirin

Fill pas përfundimit të konferencës së mbajtur mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit Edi Rama, ky i fundit iu bashkua një bashkëbisedimi me gazetarët.

Gjatë një episodi të gjatë pyetje-përgjigjesh, Rama deklaroi se “drejtimi ynë është Perëndimi dhe nuk kemi asnjë drejtim tjetër”.

Më pas u ndal gjerësisht te raportet Shqipëri-Kosovë dhe qëndrimet e tyre përkatëse lidhur me mini-Schengenin.

“Mendoj dhe punoj për interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës, të heqim kufirin. Jemi dy shtete të vogla, duhet të bëjmë gjëra me dialog dhe me zgjuarsi Ne duhet të shohim interesin tonë si shqiptarë. Duke u mbyllur dhe duke mos çuar përpara bashkëpunimin rajonal ne humbasim shumë. Kosova është e ftuar, të gjithë shtetet janë të ftuara. Kosova më parë është ulur në tryeza. Në bashkëpunimin tim me Kosovën nuk ka ngërç, për mua të paktën nuk ka”, tha Rama.

Më tej shtoi se SHBA dhe Gjermania e mbështesin fuqishëm këtë proces.

21 dhjetori 2019 do të shënojë takimin e tretë për këtë iniciativë mes Edi Ramës, homologut të tij maqedonas Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Durrës. 14:20

Rama replikon me Mustafën i cili e quajti Schengenin Ballkanik një “mini-Jugosllavi”

Image

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur kreut të LDK-së, Isa Mustafës, i cili gjatë ditës së sotme tha se Mini-Schengeni Ballkanik është një Mini-Jugosllavi e re.

Rama, gjatë një konference personale për media nga Ohri, tha se ka respekt ndaj Mustafës, mirëpo tha se komenti i kreut të LDK-së ndaj tij është “ i tepërt dhe jo fort elegant”.

“Kam respekt për Isa Mustafën. Kemi punuar bashkë jam i befasuar nga deklarata e tij por siç ka ai të drejtën në opinionin e tij të ndryshëm nga i imi, edhe unë kam të drejtën të kem opinion të ndryshëm nga i tiji. Të flasësh për këtë proces që rikrijon Jugosllavinë… të ma thuash mua këtë, që as kam punuar në administratën e Jugosllavisë e as kam ndonjë lidhje me Jugosllavinë, përveç kujtimit të keq të keqtrajtimit të shqiptarëve. Kështu që më duket e tepërt dhe jo fort elegante”, ka thënë Rama, raporton Koha.net.

Ai tha se Schengeni Ballkanik është një ide që është refuzuar vazhdimisht nga dy faktorë, nga BE-ja dhe nga Serbia.

“Serbia e ka kundërshtuar sepse e ka parë si kërcënim të shqiptarëve pikërisht për arsye të kufirit. Sot kur Serbia lëshon në këtë drejtim, natyrisht lëshon sepse sheh me interes që të përfitojë nga aspekte tjera të nismës, ne kundërvihemi? Përse? Sa është folur dhe sa herë janë bërë deklarata të tilla si ‘do e hapim kufirin, do e hapim kufirin’, nga të gjithë, është hapur kufiri? Jo! Pse? Sepse sa herë është folur për këtë gjë, kanë mësyrë në zyrat tona përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar duke thënë ‘kjo është Shqipëria e madhe’. Ka vënë kujën qeveria në Beograd. Për këtë ide i kam thënë kaherë presidentit të Serbisë se nëse nuk përfshihet lëvizja e lirë e njerëzve, ne nuk mund të përfshihemi”, tha më tej Rama.

Ai tha se në Kosovë është një moment kur po ndodh tranzicioni mes qeverisë që ikën dhe qeverisë që vjen dhe kjo e ka vështirësuar komunikimin.

“Kam dëgjuar nga Albin Kurti të ketë thënë se është mirë që Kosova të jetë gjithmonë prezentë nëpër tryeza. E kam përshëndetur këtë deklaratë, por unë nuk kam detyrën dhe nuk marr përsipër të bëj më të madhin dhe të bind sepse kam shumë respekt për të gjithë lidertët e Kosovës dhe janë ata që vendosin dhe unë i respektoj vendimet e tyre edhe kur nuk i mirëkuptoj”, deklaroi Rama.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *