Wednesday , October 23 2019

Muzeu i Skënderbeut në Krujë, në vëmendjen e turistëve të huaj

Muzeu kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” këtë sezon ka qenë në vëmendje të turistëve të huaj, që vijnë në vendin tonë. Turistë portugezë, gjermanë, etj, nuk kanë munguar edhe gjatë ditëve të shtatorit në këtë muze, aq i njohur dhe i vlerësuar. “Të shumtë kanë qenë turistët gjermanë, që kanë vizituar”, shkruan muzeu, ndërsa këto ditë edhe ata portugezë janë larguar me përshtypjet më të më pozitive. Muzeu kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” i njohur edhe si muzeu i Skënderbeut dhe muzeu i Krujës është një nga më të vizituarit në Shqipëri. Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Njëkohësisht ky muze ka edhe karakterin e një memoriali, që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Arkitektë të muzeut janë Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxha. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Muzeu u ndërtua në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e shtetit të Arbërit dhe personifikim i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shek. XV. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen disa pavione si, pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit të XV, etj. Por gjatë vizitës në qytetin e Krujës, turistët e huaj po shfaqin interesimin e tyre në rritje edhe për muzeun Etnografik, i cili është vendosur në një banesë karakteristike të ndërtuar në vitin 1760. Muzeu etnografik i Krujës është pjesë e kompleksit muzeal në oborrin e kalasë mesjetare, së bashku me muzeun historik kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *