Reagime pas marrëveshjes ndërpartiake

Pas përpjekjeve të shumta për arritjen e një kompromisi lidhur me krizën politike në Maqedoni, katër partitë politike nënshkruese të  “Përzhinos”, dje përfundimisht vulosën marrëveshjen në fjalë para përfaqësuesve ndërkombëtarë, transmeton Fakte.

Sipas kësaj marrëveshjeje, do të formohet qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve, ndërkaq data e zgjedhjeve do të caktohet pas takimit të liderëve, i cili duhet të mbahet deri më 31 gusht të këtij viti.

Dhe ashtu siç informoi edhe ambasadori amerikan Xhes Bejli, detajet e marrëveshjes ndërmjet palëve negociatore u publikuan më vonë në faqen e internetit të përfaqësisë së Bashkimit Evropian. Në vijim mund të shihet marrëveshja e plotë e palëve.

Detajet e marrëveshjes

Sipas marrëveshjes së arritur sot, lista zgjedhore do të ketë dy lista speciale si anekse të listës kryesore, edhe atë aneksin e parë me 171.500 persona dhe 39.502 persona në listën e dytë. Listat do të publikohen, ndërsa personat në listën Aneks B duhet të paraqiten në KSHZ me qëllim që të sigurojnë të drejtën e votës.

Mediat – Trup i përkohshëm 5 anëtarësh për mbikëqyrjen e medieve, edhe atë 4 anëtarë të propozuar nga 4 partitë, ndërsa anëtarin e pestë e zgjedhin 4 anëtarët e emëruar

Pjesë e marrëveshjes është gjithashtu që LSDM të propozojë kryeredaktorin e RTVM-së, ndërsa kanali i dytë të transmetojë program 24 orësh në gjuhën shqipe.

Sa i përket çështjes më problematike, kompetencat e ministrit të brendshëm, palët u dakorduan që ministri i brendshëm nga radhët e LSDM-së që do të emërohet 100 ditë para zgjedhjeve, të ketë të drejtën të bëjë 15 ndryshime në strukturën udhëheqëse të MPB-së. Deri më 31 gusht liderët e 4 partive duhet të prononcohen nëse marrëveshja e arritur sot është zbatuar, dhe nëse po, të arrijnë marrëveshje edhe për datën e zgjedhjeve.

Reagimet e partive politike jashtëparlamentare

Pas marrëveshjes ndërmjet partive më të mëdha politike në Maqedoni, VMRO, LSDM, BDI dhe PDSH, kanë vijuar reagimet e partive politike shqiptare që nuk ishin pjesë e bisedimeve.

Kështu, zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Faton Fazliu, ka thënë se kjo lëvizje konsideron se marrëveshja e arritur është një mundësi për zgjidhjen e krizës, por ai ka shfaqur dyshimet rreth implementimit të saj. Pozitive sipas Fazliut, është mbajtja e zgjedhjeve ashtu siç është paraparë në marrëveshje në muajin dhjetor, ngaqë shqiptarët përfundimisht do të çlirohen nga politikanët tanë, që hanë bukën e shqiptarit dhe i bëjnë duanë VMRO-së.

faton fazliu

“Lëvizja BESA e përshëndet marrëveshjen e arritur, për faktin se kjo është edhe një mundësi për zgjidhjen e krizës, por nuk mund të mos e shpreh, së pari, dyshimin se a do implementohet ajo – sepse përvoja na flet se ata që shkaktojnë kriza nuk kanë prirje për zgjidhjen e tyre dhe, e dyta, fshirja e mërgimtarëve shqiptarë nga lista dhe fakti që nuk u shtrua asnjë detyrim për interesat shqiptare në Maqedoni, janë mashtrimi dhe tradhtia e radhës që dy partitë shqiptare të kapura nga VMRO-ja ua ofrojnë shqiptarëve të Maqedonisë.

E, si kurorëzim i kësaj është ofendimi i radhës, që shqiptari të bëhet ministër i Punëve të Brendshme kur nuk ka asnjë kompetencë. Lajmi i vetëm i mirë mund të jetë se zgjedhjet mund të jenë në dhjetor, që qytetarët shqiptarë të mund të çlirohen nga këta njerëz, që hanë bukën e shqiptarit dhe i bëjnë duanë VMRO-së”, ka thënë Faton Fazliu, zëdhënës në Lëvizjen BESA.

Nga ana tjetër Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Arben Taravari ka numëruar me ironi në mënyrë taksative “përfitimin” e shqiptarëve nga marrëveshja e re.

arben taravaari

“Përfitimi i shqiptarëve nga Marrëveshja e re:
1. Lamtumirë diasporës Shqiptare
2. Do të implementohet Marrëveshja e Ohrit
3. Një kanal televiziv publik në gjuhën Shqipe 24/7
4. Shqiptarët do të kenë: “Ministër kalimtar për punë të brendshme” në qeverinë kalimtare, e jo në qeverinë që do i organizojë zgjedhjet…çfarë nënçmimi!

Përfundimisht, është turp të përfaqësohemi prej politikanëve të këtillë që ende merren me Marrëveshjen e Ohrit. Ku janë: mbrojtja e votave të diasporës, listat e hapura, maqedonia një ose tre zona zgjedhore”, kështu shkruan në rrjetin social facebook, Taravari.

Po ashtu, edhe ish-deputeti i BDI-së dhe nënkryetar i partisë së re “UNITETI”, Zylfi Adili nëpërmjet rrjetit social facebook ka shprehur qëndrimin e tij për marrëveshjen që u arrit mbrëmë.

zylfi adili

“1. Marrëveshja, si gjithmonë përfaqeson pakënaqësi shumëpalëshe, por bën mirë që e mundëson zhbllokimin e procesit.
2. Nga veprimi i partive pjesëmarrëse në negociata u pa qartë se ato mbrojnë interesat e tyre, e jo të qytetarëve.
3. Marrëveshja është sjellë në mungesë të regjistrimit të popullatës dhe dëmtimi i shqiptarëve mund të jetë i madh.
– presim zbatimin e marrëveshjes, ngase deri tani mbaronte me zvarritje dhe pa sukses. Me kritika dhe fajësime të ndërsjella.
4. Shpresojmë se zgjedhjet do të mbahen më 11 dhjetor, dhe se Prokuroria Speciale do të punojë me sukses”,
ka shkruar Zylfi Adili. /tesheshi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *