Saturday , December 7 2019

Shoqëria civile në Tiranë, kundër Memorialit për të rënët turq në vitin 2016

Memoriali qëndron që prej një muaji në Parkun e Madh të Tiranës, pranë Liqenit Artificial. Në një pllakë prej betoni, janë gdhendur emrat e 251 të rënëve që kontribuan në dështimin e grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 në Turqi, kundër qeverisë së Presidentit Erdogan. Rrugës që të ҫon tek Memoriali i është dhënë emri “Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe zona e parkut ku është ngritur Memoriali, me investimin financiar të Agjensisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, (TIKA) është quajtur “Parku i Demokracisë së 15 Korrikut”.

Ky memorial nuk na përket neve

Të martën, (13.08.2019) qytetarë të Tiranës kërkuan heqjen e Memorialit dhe 2 emërtimeve të reja. Në një peticion online të shoqërisë civile, të inicuar nga organizata “Change” grushti i dështuar i shtetit në Turqi quhet ”një ngjarje që nuk ka asnjë domethënie apo rëndësi historike, kulturore dhe shpirtërore për qytetarët e Tiranës”.

Peticioni vjen pas përdhosjes ditët e fundit të Memorialit nga persona ende të paindentifikuar nga policia. Sipas burimeve zyrtare nga policia, ata kanë hedhur mbi Memorial letër higjienike dhe kanë shkruar,”Respekt për këdo që nuk jeton më, por ky Memorial nuk na përket neve”.

” Shqetësimin për heshtjen e autoriteteve e ngriti të mërkurën, (14.08) Genc Pollo, ish-deputet dhe ish-ministër i PD,  i cili ngre pyetjen se “cili organ shtetëror e mori vendimin për ngritjen e pllakës perkujtimore dhe në bazë të çfarë rregullash dhe procedurave ligjore”.

Memoriali dhe emërtimet – një “Fait Accompli” – punë e mbyllur

Që Memoriali u inagurua në mes të muajit të kaluar u bë e ditur për opinionin publik ditët e fundit nga media lokale në sajë të njoftimit dhe fotove të publikuara nga ceremonia e rastit në website dhe median sociale të Ambasadës Turke në Tiranë. Autoritetet e Tiranës kanë evituar dhënien e shpjegimeve lidhur me ngjarjen. Një përfaqësues i saj mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të Memorialit, organizuar nga Ambasada Turke në Tiranë. “Por qëndrimi i PD që drejton opozitën jashtë parlamentare,  u bë publik para disa ditësh kur politikanë të saj, ish-deputetë,  e cilësojnë Memorialin “cënim të sovranitetit kombëtar” dhe tregues të “mungesës së dinjitetit shtetëror”.

Heshtja e autoriteteve për Memorialin dhe dy emërtimet e reja, një muaj më parë, pikërisht në 3 vjetorin e grushtit të shtetit kanë ngjallur debate dhe kundërshtim publik që kulmuan të martën me peticionin. Përfaqësues nga organizatorët e peticionit thanë të mërkurën (15.08.2019) për Deutsche Welle, se “ngritja e Memorialit përbën një  “Fait Accompli” dhe është marrë me një vendim të fshehtë nga opinioni publik”.

“Vendimi sekret për të përjetësuar një ngjarje të brendshme turke është marrë në shkelje të ligjeve të Shqipërisë dhe të rregullave të Bashkisë Tiranë. Vendimi është marrë pa asnjë dëgjesë apo konsultim publik, duke u mohuar qytetarëve të Tiranës të drejtën për t’u shprehur për të. Memoriali dhe dy emërtimet nuk kanë mbështetje apo pranim të gjerë shoqëror nga qytetarët e Tiranës. Memoriali nderon 251 qytetarë  turq, që u vranë për mbrojtjen e presidentit Erdogan gjatë atij që u quajt grusht shteti i 15 korrikut 2016 në Turqi” theksohet në peticion./DW

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *