Sunday , November 17 2019

Nxënësi shqiptar i shpëton dëbimit nga Britania e Madhe, shkak notat e mrekullueshme në shkollë

Një nxënës shqiptar ka fituar apelin për të qëndruar në Britani të Madhe pasi një peticion për të parandaluar dëbimin e tij mori më shumë se 90 mijë nënshkrime.

Stiven Bregu kishte shkuar i vetëm nga Shqipëria në Britani të Madhe kur ishte 13-vjeçar për t’i ikur jetës së dhunshme në familje.

Në pamundësi për të folur në gjuhën angleze, ai u vendos në një kujdestari në Bristol dhe që nga ajo kohë ka arritur të marrë nota të jashtëzakonshme në shkollën “St Mary Redcliffe and Temple School”.

Pasi aplikimi për azil iu mohua, 18-vjeçari aplikoi për migrim.

Mësuesi Rob Shaw ka thënë për “Bristol Post” se “Stiveni tani ka kuptuar rezultatin e aplikimit të tij dhe me kënaqësi ju them që ka qenë i suksesshëm dhe ka të drejtën të qëndrojë në Britani të Madhe. Zyra e Brendshme ka tani dy javë kohë për të apeluar ndaj vendimit, por supozoj se s’do ta bëjnë dhe Stiveni do të jetë i lirë të nisë praktikën”.

Adoleshenti shqiptar kishte marrë notat maksimale në biologji, kimi e matematikë dhe kishte siguruar një vend pune në një kompani administrimi të pasurisë për shkak të “talentit për matematikë”, transmeton Koha.net.

Mësuesja Elisabeth Gilpin e ka përshkruar Stivenin si “një nxënës të jashtëzakonshëm dhe një aset të madh për komunitetin e shkollës sonë”.

Bregu ka marrë edhe vëmendjen e majorit të Bristolit, Marvin Rees, kur u pranua në programin e tij të investimeve në nxënësit e talentuar me të kaluar të rëndë. Rees e përshkroi vendimin si lajm të mrekullueshëm.

“Stiveni është i vendosur, i sjellshëm dhe një djalë shumë i mençur. Bristoli është me fat që e ka Stivenin. Thjesht shpresoj që rasti i tij të çojë në reformimin e sistemit tonë për azil, ashtu që askush të mos përjetojë traumën nëpër të cilën ka kaluar Stiveni”, ka thënë ai.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *