Wednesday , October 23 2019

Bullgaria i thotë ‘Po’ heqjes së vizave për Kosovën

Gazeta “Zëri” u ka dërguar pyetje të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nëse ministrat e tyre do të votojnë pro ose kundër heqjes së vizave për Kosovën. Nga qëndrimet e konfirmuara nga Holanda, Bullgaria dhe Sllovakia, kjo e fundit ka dhënë përgjigjen më interesante, shkruan gazeta “Zëri”.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën po vazhdon të mos finalizohet pavarësisht faktit që Komisioni Evropian (KE) ka rekomanduar heqjen e vizave për qytetarët e saj. Kjo pasi disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE) po hezitojnë ta mbështesin liberalizimin për Kosovën. Në mesin e këtyre shteteve gjendet edhe Holanda. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës kanë bërë të ditur për “Zërin” se kanë kërkuar sqarime shtesë nga KE-ja sa i përket përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës, të specifikuara në Raportin e Komisionit.

Për dallim prej disa shteteve hezituese, nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë kanë thënë për gazetën “Zërin” se ky shtet e përkrah procesin e liberalizimit për Republikën e Kosovës.

Ndonëse aktualisht ka disa shtete që po hezitojnë ta mbështesin heqjen e vizave për Kosovën, Bullgaria tashmë ka ndarë mendjen për ta mbështetur Kosovën në këtë proces. Kështu kanë bërë të ditur për “Zërin” nga Zyra për Informim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, të cilët kanë thënë se ky qëndrim bazohet në përkrahjen që ky shtet ua bën vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Bullgaria ka mbështetur konkluzionet e vitit të kaluar të Raportit të Komisionit Evropian se kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës për të udhëtuar në BE janë përmbushur. Ky qëndrim është në përputhje me mbështetjen e vendit tonë për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti të Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Bullgaria, siç kanë njoftuar zyrtarë të MPJ-së së këtij shteti, mbështet rekomandimet e dala nga KE-ja për të marrë një vendim sa më parë për vizat. “Është e rëndësishme t’i rrisim kontaktet e shteteve të BE-së dhe ta shpërblejmë vendin për përpjekjet e bëra për t’i përmbushur kriteret e vëna. Ne e mbështesim rekomandimin e Komisionit Evropian në Këshillin e BE-së të majit 2019 për të marrë një vendim urgjent mbi këtë çështje”, theksohet në përgjigjen e MPJ-së së Bullgarisë./ZERI

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *