Tuesday , April 7 2020

Bundestagu e konfirmoi anëtarësimin e M. Veriore në NATO, u hap diskutim edhe për në BE

Parlamenti gjerman e ratifikoi Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, por gjatë debatit deputetët gjermanë hyrjen e vendit në Aleancë e lidhën me datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian. Edhe pse debati për raportin e Komisionit Evropian duhet të mbahet në seancë të veçantë, megjithatë disa nga deputetët kanë vërejtje se ai debat po shtyhet, percjell Fakte.

Qeveria e Gjermanisë në shpjegimin e Protokollit më 6 shkurt të vitit 2019 shpreh bindje se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut drejtë NATO-s do të nënkupton kontribut drejtë sigurisë dhe stabilitetit në hapësirën euroatlantike, informon Dojçe vele.

Ratifikimin për anëtarësimin e kundërshtuan Alternativa populiste për Gjermaninë (AFD) dhe e Majta, informon Dojçe vele. Petër Bistron nga AFD e uroi vendin për mbylljen e Rutës ballanike për refugjatët në vitin 2016, por tha se partia e tij do të votojë kundër anëtarësimit në NATO sepse ka “problem të madh me korrupsionin”, ndërsa Ballkani është vetëm periferi e Evropës”.

Aleksandër Noj nga e Majta kundërshtoi zgjerimin e NATO-s dhe e kritikoi “Qeverinë properëndimore në Maqedoni se gabimisht e ka interpretuar referendumin për ndryshimin e  emrit”. Noj gjatë gjithë kohës e përdorte termin “Maqedonia” për çka u përlesh me një deputet me origjinë greke në Bundestag.

Deputetët gjermanë, e mbështetën anëtarësimin e vendit në NATO, por patën debat për shkak të shtyrjes së debatit për fillimin e negociatave të vendit me Unionin.

Deputeti nga të Gjelbrit opozitarë, Jirgen Tritin vlerësoi se rreth fillimit të negociatave ka përleshje edhe në vetë qeverinë.

“Kancelarja është kundër, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme angazhohet që të fillojnë negociatat. Koalicioni nuk mund të arrijë pajtueshmëri për këtë çështje, deklaroi ai. CDU e kancelares Angela Merkel dhe socialdemokratët e SDP-së, të cilëve iu përket ministri i Punëve të Jashtme Hajko Mas e përbëjnë koalicionin qeveritar.

“Dëshira e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nuk ishte vetëm që të jenë pjesë e NATO-s, por edhe pjesë e Evropës së bashkuar, tha deputeti i të  Gjelbërve dhe shtoi se kryeministri grek Aleksis Cipras e ka sakrifikuar karrierën e tij politike që të arrihet Marrëveshja e Prespës dhe se për shkak të saj do ta humb pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. Ai përkujtoi se KE-ja ka sjellë rekomandim të qartë për fillimin e negociatave.

Deputeti i të Gjelbërve nga foltorja përkujtoi edhe se Ministria gjermane e Punëve të Jashtme që më 8 maj e ka informuar Bundestagun se duhet të deklarohet për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Dy deputetë të CDU-së, Kristian Shmit dhe Peter Bejer replikuan për vërejtjet e Tritin. Shmit vlerësoi se qëndrimet e Tritin nuk kanë “lidhje me realitetin” dhe e lavdëroi  rolin e Maqedonisë së Veriut në Ballkan, duke e quajtur “strehë të paqes”, e cila gjithmonë ka ndihmuar në momentet më të vështira.

Sipas Shmit, interes strategjik i Gjermanisë është që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e BE-së dhe paralajmëroi se për fillimin e negociatave me BE-në do të bisedohet “së shpejti”.

Shmit tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet në pako t’i fillojnë negociatat, por potencoi se Shqipëria për momentin përballet me “probleme të caktuara”, për çka nevojitet kohë më e gjatë që të studiohet raporti i KE-së.

Kolegu i Shmit nga CDU, Peter Bejer i përshëndeti marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë, por kritikoi se në vend nevojiten përpjekje shtesë në pjesën e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, gjyqësorit dhe administratës publike.

Socialdemokrati Karl-Hjnc Bruner e lavdëroi kompromisin me Greqinë i cili, siç tha, “nuk duhet vetëm të pranohet, por edhe vazhdimisht të lavdërohet” , dhe theksoi se me hyrjen në NATO të “Maqedonisë së Veriut nuk duhet t’i hiqet karota edhe për fillimin e negociatave me BE-në”.

“Ky vend është në zemrën e Evropës dhe i përmbushi të gjitha kushtet për fillimin e negociatave”, tha Bruner./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *