Saturday , January 23 2021

​“Simboli i Lirisë” për 80 vjetorin e lindjes së Adem Demaçit

Jeta dhe veprimtaria e Adem Demaçit është përmbledhur në një film dokumentar, i cili u shfaq sonte në Kinemanë ABC në Prishtinë.

I emëruar “Simboli i Lirisë”, ky film që zgjati gati një orë, shfaq tërë jetën e Demaçit, që nga fëmijëria, vitet e gjata të kaluara në burg si dhe veprimtarinë e tij që nga dalja nga burgu e deri në ditët e sotme.

Ky film i realizuar nga gazetari Nuhi Bytyqi është bërë për nder të 80 vjetorit të simbolit të rezistencës kombëtare, i cili ishte prezent në promovim por nga gjendja e rënduar shëndetësore foli shumë pak.

Promovimi i filmit është bërë në praninë e shumë personaliteteve të vendit nga jeta politike dhe kulturore, si kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Qosja si dhe ish- të burgosur politikë.

Njëri ndër ta Hydajet Hyseni tha se Adem Demaçi mban emrin metaforë lirie.

Ndërkaq autori i këtij filmi Nuhi Bytyqi ka rikujtuar dy momentet më të vështira që lidhen me protagonistin e këtij filmi.

Këto dy momente sipas tij e kanë frymëzuar që ta realizojë këtë film dokumentar.

Ndërkaq drejtori i Bordit të RTK-së Ismet Bexheti tha se ndihet shumë krenar që Kosova ka një veprimtar siç është Adem Demaçi.

Ndryshe filmi dokumentar “Simboli i Lirisë” është realizuar falë arkivave të RTSH-së, xhirimeve gjatë luftës si dhe janë përdorur materiale tjera të ndryshme që ndërlidhen më jetën dhe veprën e Adem Demaçit.

Një kontribut të madh në realizim të këtij filmi ka dhënë edhe Agjencia e Lajmeve “KosovaPress”, xhirimet e së cilës janë përdorur gjatë dokumentarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *